Djathi nga qumështi shija e vërtetë

Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë më datë 24/05/5018, u mbajt ceremonia e fillimit të fushatës për promovimin e djathit nga qumështi vendor me moton  “Shijo djathin e vërtetë, 100%”. Në këtë ngjarje morën pjesë z. Brajan Martalus, Drejtor i Zyrës për Zhvillim Ekonomik të USAID në Kosovë, z. Isuf Cikaqi, Drejtor i Departamentit për Politika Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, përfaqësues nga Shoqata e Përpunuesve të Qumështit, Shoqata e Qumështoreve të Kosovës, si dhe shumë pjesëmarrës nga komuniteti i prodhuesve, përpunuesve, bizneseve, profesionistëve të fushës, mediave etj. 

Fjalën hyrëse të kësaj ceremonie e kishte Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë z. Valdet Gjinovci, i cili falenderoi USAID-in, ku në bashkëpunim me MBPZHR, vazhdimisht ndërvite kanë mbështetur programet e realizuara, si Transparenca dhe Neutraliteti për mostrimin dhe testimin e qumështit të freskët, dhe zhvillimin e sistemit të avancuar të teknologjisë informative në pikat inspektuese kufitare. Projekt tjetër i suksesshëm, ishte edhe promovimi i fushatës “Qumështi i Vendit Tim” duke qenë dëshmitarë të rritjes së shitjeve të qumështit të freskët me mbi 200 %.

Në vazhdim z. Gjinovci prezantoi arsyen e kësaj ceremonie ku theksoi se Agjencia së bashku me USAID-in dhe MBPZHR, kanë përgatitur projektin për promovimin e djathit, në bashkëpunim të ngushtë me përpunuesit dhe prodhuesit qumështit të cilët janë pjesë e projektit, qëllimi i të cilit është në nevojën për të promovuar cilësinë dhe sigurinë e produkteve vendore, duke dëshmuar edhe cilësinë e këtyre produkteve. Kryeshefi Ekzekutiv para mysafirëve, përmendi edhe sukseset e agjencisë si në aspektin e masave hulumtuese në parandalimin dhe eleminimin e sëmundjeve të kafshëve, si dhe aktivitetet për garantimin e sigurisë ushqimore, gjithnjë në funksion të mbrojtjes së jetës dhe shëndetit human.

Në fjalën e tij, z. Brajan Martalus, theksoi rëndësinë e konsumimit të prodhimeve vendore dhe zëvendesimin e importit. Ai falënderoi Agjencinë për iniciativat dhe punën profesionale në sektorin e qumështit, duke theksuar rëndësinë e ‘Vulës së Garancisë’ të prezantuar nga Agjencia dhe i cili është vendosur në secilin produkt djathi të çertifikuar që tregon në paketimin e tyre se nuk përmbajnë vajra me bazë bimore - por vetëm qumësht të freskët Z. Martalus gjithashtu theksoi se partneriteti në mes të USAID-it dhe Agjencisë në fushata të tilla por edhe në projekte tjera të përbashkëta është gjithmonë i mirëseardhur.

Në përmbyllje z. Gjinovci, falënderoi të pranishmit duke ju ofruar bashkëpunim institucional edhe në të ardhmen, i cili u mirëprit.   

 

Për Ankesa
thirni ne Numrin:
0800 111 22
Pa pagese 24h